Reforma territoriale (përtej hartës)

Reforma Administrative e vitit 2014 u nis me premtimin e madh të efiçencës, për të shkurtuar burokracitë për më shumë shërbime. Megjithatë, sot, kur po diskutohet rishikimi, duhet të kuptojmë nevojat dhe të mbizotërojnë interesat e qytetare.

Për qytetet si Kukësi, reforma nuk është thjesht çështje kufijsh në hartë, por një çështje mbijetese dhe përfaqësimi.

Çfarë nuk funksionoi?

Edhe pse synimi ishte kursimi i fondeve, decentralizimi nuk funksionoj si duhet. Në kontekstin e Kukësit, janë konstatur këto problematika:

  • Pengesa dhe distance për qytetarët për të përfituar nga shërbimet. Njësitë administrative në zonat e thella, në të shumtën e rasteve janë kthyer në zyra formale pa kompetenca funksionale dhe reale, duke i detyruar banorët të udhëtojnë për në qytetin e Kukësit për një dokument bazë apo për të trajtuar cështje që mund të zgjidhen nga Njësitë Administrative (nëse do të kishin kompetenca & buxhet).
  • Mungesa e të ardhurave. Synimi që bashkitë e mëdha të gjeneronin më shumë të ardhura nuk ndodhi për Bashkinë e Kuëksit, pavarësisht burimeve të shumta natyrore që shfrytëzohen nga kompani të ndryshme. Varfëria dhe infrastruktura mbeten sfidë e madhe, ndërkohë investimet kapitale janë të varura pothuajse tërësisht nga qeveria qendrore.

Çfarë duhet të rregullojë ‘Reforma e Re’?

Diskutimet nuk mund të trajtohen duke përdorur të njëjtën formulë si Tirana dhe Kukësi.

  • Rishikimi i formulës së financimit. Duhet të merret parasysh shtrirja dhe vështirësia gjeografike, sepse shërbimet në një bashki si Kukësi me terren malor dhe infrastrukturë të pazhvilluar, kushtojnë më shumë se në një bashki në zonat fushore.
  • Fuqizimi i administratorëve, duke krijuar mundësi për të menaxhuar buxhete të vogla operative për ndërhyrje emergjente, pa pritur gjithmonë zgjidhjen nga qendra e bashkisë.
  • Këshillat Bashkiak. Në të shumtën e rasteve këshilli bashkiak thirret për të votuar projekt-vendimet e kryetarit, pa mundur të zhvillohet një diskutim i thelluar. Këshilltarët duhet të kenë akses në dokumentacionin e prokurimeve dhe investimeve përpara se të ngrejë kartonin. Mund të krijohen komisione ad-hoc me ekspertë të jashtëm që asistojnë këshilltarët në vendime kur kërkohet ekspertiza (siç mund të jetë p.sh. menaxhimi i mbetjeve apo menaxhimi i burimeve natyrore, investimet etj.
  • Burimet Njerzore. Reforma e re duhet të marrë parasysh se shumë sektorë/departamente në bashki vuajnë nga mungesa e ekspertizës ose janë mbipopulluar me militantë që nuk kanë njohuri teknike. Një bashki si Kukësi ka nevojë për një status të veçantë për profesionistët, duke ofruar paga konkurruese me tregun privat ose kontrata pune si të jashtëm, që të mos largohen.

Konsultimi publik.

Me keqardhje duhet ta them, (duke qenë se kam marrë pjesë në shumicën e organizimeve), dëgjesat publike duken si skena teatri me salla të mbushura me administratë. Duhet patjetër të ndryshojë kjo metodë konsultimi.

Përdorimi i platformave digjitale ku çdo projekt-vendim i bashkisë duhet të jetë i hapur për komente dy-tre javë para votimit, duke i detyruar këshilltarët bashkiakë të kthejnë përgjigje me shkrim.

Dëgjesat në terren, jo në sallat e godinës së bashkisë. Zyrtarët duhet të shkojnë te qytetari. Nëse diskutohet për ujin e pijshëm në lagjen, rrugët, mbrojtja e burimeve ujore, prioritetet që kanë qytetarët, dëgjesa duhet të bëhet aty, me banorët e asaj zone.

Të rinjtë: mos të përdorën për dekor, por pjeë e vendimarrjes.

Të rinjtë e Kukësit prej disa vitesh vazhdojnë të ikin, dhe ky është alarmi më i madh. Kjo duhet patjetër të ndryshë, që të mund tju krijojmë kushte që ata të qëndrojnë. DUHET TË NDIHEN PJESË dhe TË JENË TË ZOTËT e KUKËSIT.

  • Këshillat Vendor Rinor (KVR). Nuk mjafton që të rinjtë të kenë një strukturë që nshpesh nuk ju jepet rasti as të takohen me Kryetarin apo anëtarët e Këshillit Bashkiak. Ata duhet të kenë në dispozicion një përqindje të caktuar të buxhetit të bashkisë për ta menaxhuar vetë për projekte rinore, sportive apo kulturore.
  • Çdo projekt serioz që lidhet me zhvillimin strategjik në Kukës duhet të ketë në bordin e monitorimit një përfaqësues nga rinia, për të garantuar transparencën dhe për të mësuar se si funksionon shteti.

Reforma territoriale nuk duhet të jetë një rregullim elektoral për të fituar më shumë mandate në 2029, por një rregullim funksional që i shërben banorit të fshatit më të thellë dhe atij në qytet, në Kukës njëlloj.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *