Autenticiteti si mallkim?!
Shpesh krenohemi me zonat që ruajnë traditën dhe popullsinë autoktone, por të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë një realitet të dhimbshëm.
Kukësi mbetet qarku më autokton në Shqipëri (93.3% e banorëve kanë lindur këtu), por kjo nuk ka ardhur si zgjedhje, por si pasojë e izolimit.
Do të ishim krenar nësë fakti që jemi ‘autokton’ do të shoqërohej me zhvillim ekonomik.
Nga viti 2001 kemi humb 44% të popullsisë (rreth 49,000 banorë).
Ndërkohë Tirana nuk po rritet, (sepse nuk është se ka shtim të popullsisë vendase), por Tirana ‘fryhet’ duke marrë gjithcka që kanë rrethet, (njerëz dhe pasuri natyrore) pa i kompensu në asnjë formë.
Kjo nuk është ekonomi tregu, është ‘kanibalizëm demografik’.
‘Autokton’ pa ekonomi = muze (pa jetë).
Përgjatë 3 dekadave Kukësi në të gjitha studimet ka rezultuar të jetë më i varfër se cdo rreth tjeter, duke e shpallur zyrtarisht si ‘muzeu i varfërisë’ për 30 e kusur vite.
Nëse fshatrat e thella të Kukësit mbeten me 2-3 shtëpi me t’moshuar, ne po ruajmë një ‘muze’ ne qiell të hapur.
Tradita, kultura dhe zakonet nuk ruhen në libra, por ruhen përmes brezave.
Kur rinia ikën, zinxhiri i transmetimit të kulturës tek brezat këputet.
Rreziku i ‘Paketës së Maleve’ pa malësorë
Zhvillimi i turizmit me ‘investitorë strategjikë’ që vijnë nga Tirana apo jashtë vendit, mund të ndërtojë resorte, por nuk rrit komunitete.
Nëse toka, bjeshka, kullotat e banorëve të kësaj zone blihen për ‘5 lekë’ dhe aty ndërtohet një hotel ku punëtorët vijnë me sezon, fshati bashke me traditën ka vdekur zyrtarisht.
Nuk na duhen resorte që rrijnë 9 muaj mbyllur, na duhet bujtina të banorëve të zonës, që mban shkollën e fshatit hapur
Paketa e Maleve, duhet të kthehet në Paketa e Malësorit, që mbështetja të shkojë te banori i zonës.
Që kuksiani të jetë zot në tokën e tij dhe jo thjesht roje te resorti i tjetrit.
Fshati nuk është thjesht territor; është kujtesë, traditë, marrëdhënie dhe identitet.
Nëse Paketa e Maleve nuk shkon tek Malsori, pas 10 vitesh Kukësi do të ketë male të bukura, por nuk do t’ket kush me tregu për traditat, kostumet popullore, vallet, këngën, ciftelinë, bujarinë dhe besën.
