Rifat Demalija
Shumë të rinj sot nuk e kanë të vështirë të zgjedhin sepse nuk kanë ide, por sepse kanë shumë zhurmë rreth vetes, që u thonë:
- zgjidh një degë që ka punë,
- zgjidh diçka të sigurt,
- zgjidh atë që duket më mire
Ndërkohë, rrallë bëhet pyetja më e rëndësishme; Po ti, çfarë do vërtet?
Gjatë përvojës time me të rinj, nxënës, studentë, prindër dhe mësues, kam kuptuar se dilema dhe problem i zgjedhjes së karrierës nuk vjen nga mungesa e informacionit, por nga procesi.
Nuk mjafton interesi, por as aftësia vetëm
Një nga keqkuptimet më të shpeshta që kam hasur lidhet me atë se çfarë pëlqejmë: Më pëlqen kjo, prandaj është zgjedhja e duhur.
Në këtë rast interesi është i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm.
Po aq e vërtetë është edhe ana tjetër: Jam i zoti në këtë fushë, prandaj duhet ta zgjedh. Edhe aftësia, pa interes, shpesh kthehet në lodhje.
Nga përvoja, zgjedhjet që zgjasin në kohë ndodhin aty ku interesi, aftësia dhe realiteti takohen bashkë.
Presioni, është armiku i heshtur i zgjedhjes së lirë
Shumë të rinj zgjedhin studimet ose profesionin nga meraku se mos i zhgënjejnë prindërit; se mos duken ‘të pasigurt’ në sytë e të tjerëve, apo të mos mbeten mbrapa shokëve.
Kam takuar studentë që pas disa muajsh studimi, më kanë thënë: E kuptova se kjo nuk është ajo që dua, por tani është vonë.
Në shumicën e rasteve, nuk ishte vonë, por ishte thjesht një zgjedhje e bërë si zakonisht pa reflektimin e duhur.
Pse këshillimi i karrierës nuk është këshillë, por proces
Shpesh, këshillimi i karrierës keqkuptohet si: Më thuaj çfarë të zgjedh, por orientimi serioz nuk funksionon kështu.
Nga përvoja ime, këshillimi i vërtetë është një proces që:
- të ndihmon të kuptosh veten,
- të dallosh interesat nga aftësitë,
- të shohësh realitetin e profesioneve,
- të marrësh vendimin tënd, jo të dikujt tjetër.
Këshillimi nuk është një bisedë e vetme, është si një një rrugëtim i shkurtër, por i strukturuar.
Një mësim nga puna ime me të rinjtë
Në disa projekte që kam zbatuar me fokus edukimi për karrierën, kemi organizuar vizita me grupet rinore në vendin e punës, me qëllim që të rinjtë të bisedojnë me profesionistë, duke bërë pyetjet e duhura dhe të shikojnë realitetin nga afër.
Shumica prej tyre nuk thane; e gjeta çfarë dua, por thanë e kuptova çfarë nuk dua. Dhe ky ishte një sukses i madh.
Ky blog nuk ofron receta të gatshme as të shpejta. Nuk premton sukses dhe nuk imponon zgjedhje.
Ky blog nxit reflektim, ngre pyetje dhe sjell qartësi aty ku ka konfuzion, sepse zgjedhja e karrierës nuk është garë shpejtësie. Është një vendim që ndikon jetën.
Nëse po mendon për të ardhmen, ndalo për një moment dhe pyet veten:
- A po zgjedh nga dëshira apo nga frika?
- A po ndjek veten apo pritshmëritë e të tjerëve?
- A kam marrë kohën e duhur për ta kuptuar vërtet këtë vendim?
Përgjigjet nuk kanë pse të vijnë menjëherë, por mjafton të fillosh t’i bësh pyetjet e duhura vetes.
Në shkrimet që do të vijnë, do të flasim më konkretisht për:
- cilën degë të zgjedh,
- gabimet më të shpeshta
- dilemat reale
- tregun e punës studimet, profesionet dhe alternativat
Gjithmonë me të njëjtin qëllim, të përfitojmë më shumë qartësi, dhe të shmangim presionin
