Nga Arsimi tek Punësimi

Kukësi si laborator i mospërputhjes midis arsimit dhe tregut të punës në Shqipëri

Bisedat me të njohur dhe eksperiancat që kam hasur prej kohësh si këshillues karriere dhe punonjës rinor, më kanë krijuar bindjen se arsimi dhe tregu punës nuk kanë ndërlidhjen e duhur.

Për të provuar hipotezën e hendekut midis studimeve dhe punësimit, i cili lind nga ndërveprimi i dobët midis orientimit të hershëm profesional, sistemit arsimor dhe strukturës së tregut të punës, kemi analizuar 65 anketa dhe 8 intervista gjysmë të strukturuara, të kombinuara me të dhëna dytësore nga raporte kombëtare dhe ndërkombëtare mbi tranzicionin arsim – punësim.

Sipas të dhënave, 87.7% e të anketuarve kanë marrë vendime për studimet në kushte informacioni shumë të kufizuar mbi tregun e punës dhe pa u konsultuar.

Paralelisht, 66.2% e të anketuarve e perceptojnë tregun vendor të punës si shumë të kufizuar, ndërsa 20% deklarojnë se tregu nuk ofron mundësi reale punësimi sipas profilit. Kjo sugjeron se, edhe në rastet kur individët posedojnë kualifikim të përshtatshëm, integrimi profesional mbetet i vështirë për shkak të strukturës së ekonomisë lokale dhe rajonale.

Si rezultat, 75.4% e individëve që punojnë jashtë profilit, shfaqin gatishmëri për rikualifikim ose e konsiderojnë emigrimin si mekanizëm përshtatjeje profesional dhe ekonomik.

Edhe të dhënat e raportuara nga INSTAT tregojnë se papunësia rinore për grupmoshën 15 – 24 vjeç vazhdon të mbetet 22.3 % dukshëm më e lartë se niveli i përgjithshëm i papunësisë 8.1%, ndërsa integrimi i të rinjve në tregun e punës karakterizohet nga pasiguri, informalitet dhe mospërputhje midis aftësive të fituara dhe kërkesave të ekonomisë.

Mospërputhja midis arsimit dhe tregut të punës në Shqipëri nuk përfaqëson një fenomen të izoluar në nivel vendor, por një problem strukturor që reflektohet në disa tregues kombëtarë të lidhur me papunësinë rinore, punësimin sipas profilit dhe emigrimin e të rinjve.

Në të njëjtën kohë, raportet e institucioneve ndërkombëtare kanë evidentuar vazhdimisht hendekun midis aftësive të prodhuara nga sistemi arsimor dhe kërkesave reale të ekonomisë. Sipas analizave të European Training Foundation, 45-50% e të diplomuarve në Shqipëri punojnë jashtë profilit të studimeve të tyre.

Problemi bëhet edhe më kompleks në rajonet me zhvillim ekonomik më të kufizuar, ku tregu lokal nuk krijon mjaftueshëm vende pune të profilizuara dhe ku mundësitë për integrim profesional mbeten të reduktuara.

Problematika e mospërputhjes midis arsimit dhe tregut të punës lidhet me:

  • mungesën e orientimit të hershëm të karrierës,
  • dobësitë e sistemit arsimor në përgatitjen praktike dhe profesionale,
  • mungesën e koordinimit me nevojat reale të tregut,
  • dhe kapacitetin e kufizuar të ekonomisë për të përthithur kapitalin njerëzor të prodhuar.

Kukësi shërben si një rast ku dobësitë strukturore të sistemit shqiptar bëhen më të dukshme dhe më të matshme.

Në teori, sistemi arsimor duhet të funksionojë si mekanizëm që redukton hendekun midis zgjedhjeve fillestare të individëve dhe kërkesave reale të tregut të punës. Megjithatë, 72.3% e të anketuarve deklarojnë se universiteti nuk i ka përgatitur mjaftueshëm për tregun e punës. Kjo tregon se problemi nuk lidhet vetëm me momentin e zgjedhjes së studimeve, por vazhdon edhe gjatë procesit universitar.

Në vend që të korrigjojë mungesën fillestare të informacionit dhe orientimit profesional, sistemi arsimor shpesh e riprodhon atë përmes:

  • përgatitjes kryesisht teorike,
  • lidhjeve të dobëta me tregun e punës,
  • praktikave profesionale të kufizuara,
  • mungesës së orientimit të karrierës,
  • dhe bashkëpunimit të pamjaftueshëm me sektorin privat.

Si rezultat, një pjesë e konsiderueshme e studentëve përfundojnë studimet pa krijuar një lidhje të qartë midis profilit akademik dhe integrimit profesional. Për pasojë, 52.3% e të anketuarve deklarojnë se nuk punojnë në profilin që kanë mbaruar studimet e tyre.

Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në mungesën e vendeve të punës. Edhe kur punësimi ekziston, ai shpesh nuk lidhet me profilin e studimeve, nuk ofron stabilitet ekonomik, ose nuk krijon perspektivë afatgjatë zhvillimi profesional. Për pasojë, individët përballen me nevojën për ndryshim profesioni, rikualifikim, punësim informal, ose emigrim.

Adresimi i mospërputhjes midis arsimit dhe tregut të punës kërkon ndërhyrje të koordinuara në tre nivele kryesore: orientimin e karrierës, sistemin arsimor dhe zhvillimin ekonomik.

Reformim i orientimit të hershëm të karrierës është një domosdoshmëri, dhe duhet të fillojë më herët sesa në fund të shkollës së mesme.

Integrimi gradual i orientimit të karrierës në arsimin 9-vjeçar, identifikimi i hershëm i interesave, aftësive dhe prirjeve individuale, këshillim sistematik mbi profesionet, tregun e punës dhe alternativat e arsimit professional, informim periodik mbi sektorët me kërkesë më të lartë në treg dhe përfshirje më aktive e prindërve në procesin e orientimit do ta përmirësonte dukshëm.  

Edhe vetë universiteti duhet të funksionojë jo vetëm si institucion diplomimi, por edhe si mekanizëm tranzicioni drejt tregut të punës.

Mospërputhja midis studimeve dhe tregut të punës në Shqipëri nuk mund të shpjegohet thjesht si pasojë e zgjedhjeve individuale të gabuara, por si një problem strukturor i prodhuar nga mungesa e koordinimit midis orientimit të karrierës, sistemit arsimor dhe zhvillimit ekonomik.

Pa një koordinim më funksional midis këtyre hallkave, Shqipëria rrezikon të vazhdojë prodhimin e kapitalit njerëzor që nuk përputhet me nevojat reale të ekonomisë, duke e shtyrë një pjesë të konsiderueshme të të rinjve drejt përshtatjes së detyruar profesionale ose emigrimit.

Në këtë kuptim, sfida kryesore nuk është vetëm përmirësimi i zgjedhjeve individuale, por ndërtimi i një sistemi që informon më mirë, orienton më herët dhe krijon mundësi reale integrimi profesional.

Shkarko studimin e plotë në linkun më poshtë:

https://dilemmasolution.net/wp-content/uploads/2026/05/Nga-Arsimi-tek-Punesimi-Rifat-Demalija.pdf

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *